Komentet pa “Sekret” ndaj Ronela Hajatit, kritika apo gjykime

Ronela Hajati trazoi një rrëke me komente pasi dështoi ta kualifikonte Shqipërinë në natën finale të festivalit evropian të këngës. Trazinë nuk e krijoi shumë rezultati, se sa performanca.

Vajza që dikur kritikonte djemtë shqiptarë për faktin se “nuk lexojnë libra”, vuajti një mori kritikash, pjesa më e madhe prej të cilave fyese.

Të gjithë kanë opinionin e tyre. Ishte mirë… ishte keq. Në fund të fundit arti dhe ndjesitë që përcjell janë subjektive dhe kjo nuk më shqetëson aspak. Ajo që shoh me shqetësim për Shqipërinë është mentaliteti dhe mungesa e një kulture kritike brenda kornizave etike, si në art dhe kudo.

Kur Ronela fitoi Festivalin e RTSH, reagimet ishin në të shumtën pozitive. Dakord, teksti nuk u prit mirë, por performanca po. Të shumtë ishin ata që e përkrahën Ronelën duke u nisur nga karakteri energjik në skenë. Në horizont nuk u pa, apo dëgjua ndonjë kritikë me argumente dhe qasje etike, si “pro”, po ashtu dhe “kundër”.
Tjetër gjë ndodhi kur Ronela performoi në Itali.

Veshja ndryshe, koreografia, gjestet dhe sjellja në skenë, trazuan humorin, moralin dhe sedrat e shumëkujt që në Shqipëri merr rolin e kritikuesit në internet, por që në të shumtën e rasteve, profilet e rrjeteve sociale i ka vetëm me fyerje apo ankesa. Të tilla ishin kritikat ndaj Ronelës, fyerje dhe ankesa.

Për mua është turp që këto i quajnë kritika, pasi në thelb janë vetëm gjykime, që shpesh kalojnë në cyberbullying (ngacmime kibernetike).

Shumë u morën me pamjen dhe kilogramët e artistes duke përdorur gjuhë seksiste dhe fyerje të rënda. Ronela nuk është se ndryshoi shumë nga ajo e dhjetorit, por thjesht në mentalitetin shqiptar: Turp është vetëm “kur na sheh dynjaja” apo se “çfarë do thotë bota?!”.

Nëse do të kërkonim diçka për kritikë, Ronela dhe shfaqja e saj janë vetëm pikënisja, pasi për t’u kritikuar është i gjithë arti shqiptar, dhe aq më shumë mentaliteti.

Ankohen dhe fyejnë ata që u japin vëmendje dhe miliona klikime pikërisht artit konsumist, muzikës pa tekst, fabul, e moral, artit “fast-food” që josh me zhveshjen si ambalazh.

Ka kohë që ky është arti më popullor për shqiptarët dhe artistët më të suksesshëm konsiderohen ata që bluajnë këtë rrymë. Në këtë kontekst performanca e Ronelës në Itali ishte pasqyrim i këtij mentaliteti.

Njësoj si në kohën kur tha batutën për djemtë shqiptarë, Ronela u bë meme sërish. Po njësoj, mendoj se publiku do ta përtypë këtë moment në pritje të një tjetër kafshate të artit pa shije që gjeneron muzika shqiptare//Tibo News.

*Opinion nga Adelina Onuzi.

You don't have permission to register